Asllani: Tifozë të Interit na mbështesni, unë do të jap maksimumin!

Përpara tifozëve nuk mund të ishte ndryshe përveçse i qeshur. Kristjan Asllani ishte i lumtur së pari për veten, e pastaj për Interin, që arriti në këtë kulm të karrierës. Pas një gjysmë sezoni të stuhishëm, në të cilin bëri për vete Serinë A, mesfushori i kombëtares shqiptare e ka të qartë se ky është vetëm fillimi. Më e vështirë do të jetë të konfirmohet, por për momentin le t’i gëzohet fanelës zikaltër, ndërsa jep intervistën e parë për klubin.

“Është diçka e mrekullueshme, – thotë ai, – Unë jam vetëm 20 vjeç. Mezi po pres që të fillojë sezoni dhe unë të përpiqem të jap maksimumin. Isha dy vjeç kur lashë Shqipërinë dhe erdha në Itali. Unë bëra shkollën këtu, po këtu u bëra futbollist. Nuk e kisha imagjinuar kurrë që kjo mund të ndodhte. Nuk mund të them se kam një idhull të veçantë, por është e vërtetë që gjithnjë e kam pasur topin në këmbë. Po ashtu shoh vazhdimisht ndeshje, me aq kohë sa kam, sepse dua që të mësoj nga mesfushorët e tjerë”.

Në këtë moshë dhe me përvojë kaq të paktë, ai i bindi drejtuesit e Interit, dhe jo vetëm me golin që shënoi në Milano ndaj skuadrës së trajnerit Simone Inzagi, ndërsa pritet të jetë krahu i djathtë i Marcelo Brozoviçit. “Kam rastin të luaj në krah të Brozoviçit që është një mesfushor i shkëlqyer, – komenton ai, – Nuk i kam vënë vetes ndonjë objektiv, por jam i lumtur me këtë që kam arritur. Dua të falenderoj Empolin pasi i detyrohem shumë. Tani dua të bëj gjithçka për Interin. Ai gol që shënova në “San Siro” u duk si diçka e destinuar, si një lidhje e veçantë me këtë ekip. Tifozëve u them se mezi pret të luaj për Interin dhe se do të jap maksimumin”.

Mediat italiane nuk ia kursejë lavdërimet, duke e cilësuar si një blerje të madhe, të realizuar me huazim për 4 milionë euro, me të drejtë për të marrë kartonin për 10-12 milionë euro të tjera. “Merr një e paguaj 3”, shkruan me shaka “La Gazeta delo Sport”, ndërsa shqiptari 20-vjeçar mund të luajë të paktën në 3 pozicione të mesfushës.

Sfidanti.al