Është me të vërtetë një magjistar si pak të tjerë. Mohamed Salah në kulmin e tij është krahasuar edhe me Lionel Mesin, e tani tifozët nuk duhet të kenë frikë se mund ta humbasin. i mbiquajturi “Faraoni i Egjiptit”, ai vendosi të rinovonte kontratën me Liverpulin për 3 vitet e ardhshme. Një lajm i madh, dhe një rrogë tepër e madhe prej 400 000 paundësh stërlina në javë, një rekord i të kuqve dhe i Premier Ligës që lë pas Kristiano Ronaldon dhe Kevin De Brujnin. Vetëm një Mbape, një Mesi e një Nejmar, që të tre të PSG-së do të fitojnë më shumë se ai.
“Po, unë sapo rinovova kontratën, dhe kjo është arsyeja se përse ne jemi këtu tani, – tha sulmuesi, – Ndihem vërtet shumë mirë, dhe mezi pres që të fitojmë trofe të tjera me skuadrën. Kjo është një ditë e lumtur për këdo. Gjithmonë kërkon pak kohë që të vendosësh për rinovimin, të mendosh, por tashmë gjithçka ka përfunduar, dhe ne duhet të përqëndrohemi tek sezoni që vjen”.
Salah ka 156 gola në 254 ndeshje. Egjiptiani është shënuesi i nëntë më i mirë i Liverpulit për të gjitha kohët dhe mund të ngjitet edhe më lart. “Është një kënaqësi e madhe të jesh në vendin e 9-të në këtë renditje të klubit, – vazhdoi ai, – sidomos për një kohë kaq të paktë. Është arritje e madhe dhe mendoj, siç e kam thënë më parë, gjëja kryesore është që të fitojmë trofe si ekip. Sidoqoftë, kur ti e ndihmon ekipin të fitojë me anë të golave, kjo është gjithashtu një krenari”.
Me ndihmën e golave të tij, Liverpuli ka fituar Championsin në 2019 si dhe riktheu titullin kampion të Anglisë pas 30 vjetësh në 2020. Sezonin e kaluar ai ishte sërish i madh duke ndihmuar ekipin të fitonte dy kupa, ndërsa edicionin që vjen duhen fituar sërish Championsi e Premier Liga.
Sfidanti.al