Arsenal, Atetiko e Lacio, Liga e Europës ngjan si “Championsin 2”

Mjaftojnë 35 minuta që një ndeshje futbolli të bëhet e famshme. Aq u deshën në stadiumin “Emirejts” të Londrës në përballjen Arsenal-CSKA e Moskës, që të fiksohej rezultati dhe thuajse të përcaktohet skuadra gjysmëfinaliste e Ligës së Europës.

Arsenali fitoi 4-1 në ato 35 minuta, ku goli i dytë i Aron Ramsejt veçohet për improvizimin dhe klasin. Ramsej shënoi që në minutën e 9-të, pastaj Golovin barazoi në 15’ me një goditje dënimi të shkëlqyer, veçse Lakazetë riktheu epërsinë e londinezëve nga pika e bardhë e penalltisë, pasi Ozil u rrëzua në zonë. Në 28’ erdhi goli i mrekullueshëm i Ramsejt, dhe në të 35’, goli i dytë i Lakazetit. Arsenali i Arsen Vengerit kujtoi kohët e vjetra me futbollin e rrjedhshëm e sulmues.

Besohet se edhe dy skuadra të tjera u afruan shumë me gjysmëfinalet, dhe këto ishin Atletiko e Madridit e Lacio. Spanjollët fituan derbin iberik ndaj Sportingut të Lisbonës me shifrat 2-0, falë rrjetave të Kokes dhe Antuan Grizmanit, edhe këta që në pjesën e parë, në minutën e parë dhe të 40-të.

Italianët nuk e patën të lehtë me Salcburgun, por ia dolën 4-2. Austriakët barazuan dy herë pas rrjetave të Senad Luliçit e Marko Parolos, kur Valon Berisha shënoi me penallti dhe Takumi Minamino u duk se tronditi “Olimpikon” në 71’. Veçse Felipe Anderson e Çiro Imobile goditën në dy minuta (74 e 76) për suksesin e rëndësishëm të Lacios.

Më pak e përcaktuar sfida Lajpcig-Marsejë, pasi dueli gjermano-francez përfudoi 1-0 për vendasit. Rezultat i ngushtë, por i pastër për ekipin nga Lindja e Gjermanisë, i siguruar nga goli i sulmuesit të kombëtares gjermane, Timo Verner në fund të pjesës së parë. Me emra të tillë pranë gjysmëfinales si Arsenal, Atletiko e Madridit apo edhe Lacio, Liga e Europës ngjan paksa si “Championsi numër 2”.

Sfidanti.al