Ishte 10 marsi i 2020-ës kur vuri këmbë aty si futbollist. Gjithsesi, lidhja shpirtërore e Armando Brojës me stadiumin “Stemford Brixh” të Çelsit kishte nisur shumë kohë më parë. Me gjasë, kur shkeli në korridoret e impiantit të Bluve të Londrës atë pasdite të së shtunës e kur bëri debutimin në ekipin e parë ndaj Evertonit, sulmuesi shqiptar ka kujtuar ditën e parë si fëmijë në atë stadium. Këtë përvojë të paharrueshme, ylli 21-vjeçar kuqezi e tregon për faqen zyrtare të Çelsit, në një intervistë emocionuese. Si shumica e shqiptarëve, Broja ka qenë gjithmonë i lidhur me familjen, e madje jo vetëm me nënën apo babanë.
“Nuk e mbaj mend saktësisht se çfarë ndeshjeje ishte, por ishte ndeshje në “Stemford Brixh”, – thotë ai, – Unë isha 5 apo 6 vjeç dhe mbaj mend që në stadium më mori xhaxhai im. Ai më bëri me Çelsin sepse ishte edhe vetë një tifoz i zjarrtë i Bluve. Unë kisha një shall dhe një kapele të Çelsit. Ishte një nga eksperiencat më të bukura të jetës sime në atë kohë. Më shumë shkoja në stadium me xhaxhain, ndonjëherë me babain. Ajo kohë ndikoi shumë tek unë”. Pikërisht atë ditë, kur pa nga brenda “Stemford Brixhin”, Armandos i lindi dëshira të cilën sot e ka bërë realitet.
“Kur hyra në stadium për herë të parë, ishte diçka që më goditi, – theksoi Broja, – Aty ishin me mijëra njerëz. Ishte një çmenduri dhe unë thashë me vete se një ditë doja edhe unë të luaja në atë fushë. Kështu nisi gjithçka. Xhaxhai im më kishte veshur me uniformën e Çelsit që kur unë isha 2 vjeç. Mamaja ime i thoshte që ta linte me kaq, por ai këmbënguli që unë të bëhesha një tifoz i Çelsit. Pra, unë u bëra tifoz i Çelsit prej tij”. Armando Broja vazhdon të jetë pjesë e Bluve të Londrës, dhe këto ditë pritet të bashkohet me ekipin e drejtuar nga trajneri Poçetino për të nisur fazën përgatitore. Pas një sezoni të vështirë me Çelsin, ku arriti të shënonte vetëm një gol, dhe në të cilin u dëmtua rëndë në dhjetor, ai shpreson të fitojë të drejtën që ta mbajë edhe më tej të veshur fanelën e tij të preferuar.
Sfidanti.al