Andrea apo Sula, është vetëm çështje emri

Spektakël i garantuar nga futbolli shqiptar, superndeshje, studio që shkëlqejnë dhe ku diskutohet me shumë pasion. Fatkeqësisht jemi të mposhtur nga shtypi, nga ekranet, nga një mori informacionesh që po tentojnë dhunshëm të na bindin, se jemi duke jetuar në një tjetër realitet. Një mori futbollistësh të huaj, të cilët po na shiten si investim i barabartë për nga rëndësia me Rrugën e Kombit dhe trajnerë po të huaj, hijerëndë, që me të mbërritur në Rinas i atribuojnë vetes të njëjtat merita si të Kristofor Kolombit. Sormani, që kulmin e karierës e kishte si ndihmës i Zolës diku, për t’i bërë kredencialet më të vlefshme na kujtonte publikisht, se në kohën kur Juventusi i Kontes po çudiste në Champions edhe ai vetë ishte te rreshti i gjatë i stafit, diku afër bidonëve të ujit. Por këtij zotërisë i dhanë Partizanin dhe vinte vërdallë nëpër Tiranë si filozof. Diku më në jug është një “ish” i Partizanit, Andrea Agostineli, që në nëntë javë të luajtura nga kampionët e vendit është i vetmi që dhuron spektakël. Ndonjëherë me xheste shfrenetike, por kryesisht me deklaratat e përjavshme, kërkon të bindë se skuadrës së tij nuk i mungon asgjë, madje në të kundërt, ka rënë në dorën e një mjeshtri të madh.

Ndërkohë Skënderbeu kryeson sërish me pikë tabelën e klasifikimit, por këtij ekipi i mungon dominimi, madje nuk e ekzagjerojmë po të themi se shumë shpesh i ka munguar edhe loja. Këtij Skënderbeu i ka munguar goli… i ka munguar Mirel Josa. Dhe të tjerë të huaj që vijnë e ikin dhe që kanë vetëm një ndryshim nga më i zakonshmi trajner i yni, se kur dalin publikisht shoqërohen nga dikush që i qëndron pas shpine, i cili flet shqip. Dhe pse e gjithë kjo ksenomani, nga të paktat gjëra që na kanë mbetur të pandryshuara që nga përpara viteve ’90? Sepse ne vazhdojmë të besojmë, se të jesh i huaj automatikisht je edhe më i ditur dhe kështu nuk kanë nevojë as për letra reference. Me fjalë më të thjeshta, të jesh i huaj do të thotë që prapa të të vijë një përkthyes, i cili duhet për të bërë të tjerët të të kuptojnë, pra nuk je një njeri, por dy, kështu që vlen më shumë.

Ndërsa për paradoks, i harruar tek moshat është Astrit Hafizi dhe Sulejman Mema, njëri trajner i ekipit Kombëtar dhe tjetri i përfaqësueses Shpresa. A e dini se çfarë thuhej për këto dy figura, meqenëse si shoqëri në tërësi, denigrimin e tanëve e kemi specialitet? Tani janë të mëdhenj në moshë, ose u ka kaluar mosha… diçka e tillë. Por Mema është vetëm një vit më i madh se Agostineli dhe e ka kokën plot, por italianit i është besuar pankina e kampiones absolute të viteve të fundit vetëm se e ka emrin Andrea, ndërsa ky i joni që është Sula, komenton Krotonen në Supersport. Pse De Biazi i ka marrë me aq pasion replikat përçmuese me Hafizin, megjithëse e ka me të dëgjuar se çfarë ishte skuadra e Titit dhe koha kur jetonte? Sepse mendon se futbolli në Shqipëri lindi kur Xhani mbushi 60 vjeç. Ky pra është spektakli i vërtetë i futbollit tonë, i gjithi i identifikuar me një ndeshje që nuk ka nevojë për komentator: Andrea vs. Sula… dhe dihet se kush fiton.

Saimir Demi