Alarm për Ferrarin, Lauda paralajmëron Mercedesin në F1

“Ky do të jetë një vit shumë i vështirë për ne”. Këto janë fjalët e një legjende të Formula 1 si Niki Lauda, që është pjesë e Mercedesit. Gara e parë do të jetë në 26 mars në Melburn dhe austriaku bën konkluzionet për atë që pa në provat e zhvilluara në Barcelonë. “Gjithkush thotë se Mercedesi duhet të fitojë sërish sepse kështu ka bërë në të kaluarën, – u shpreh Lauda për RTL-në, – këta njerëz janë vërtet naivë dhe e marrin jetën shumë lehtë”.

Pas provave në pistën e Katalonjës, dy pilotët e Ferrarit, Sebastian Fetel (29 vjeç) dhe Kimi Raikonen (37) ishin më të shpejtë se të tjerët, pra duket se teknikisht, skuadra italiane është të paktën në nivelin e Mercedesit. Gjithsesi, ka vërejtje pasi edhe vjet në këtë kohë Ferrari ishte më i shpejtë, por pastaj në kampionat nuk arriti rezultate të larta. Ata që vlerësojnë Ferrarin, thonë se tashmë makina është shumë më e besueshme.

Fetel mjaftohet të thotë se “makina jonë është më e mirë sesa vjet”, veçse gjermani vlerëson lart Mercedesin. “Makinat e tyre kanë qenë më të ngadalshme në prova, por është e qartë se janë shumë të shpejta në distanca të gjata”. Megjithatë, Ljuis Hamilton, favoriti për titullin botëror, parashikon gjithashtu një vit të vështirë: “Mendoj se Ferrari është më i shpejtë sesa e pamë, pasi skuadra italiane nuk i ka zbuluar të gjitha sekretet e saj ende”.

Sfidanti.al