Ademi dhe trajneri Foda pas shortit: Mision i vështirë

Pas hedhjes së shortit për kualifikimet për Kupën e Botës 2026, Kosova u përfshi në Grupin B, bashkë me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë. Opinionet e tyre pas shortit i dhanë presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe trajneri i ”Dardanëve”, Franco Foda. “Është një grup jashtëzakonisht i vështirë, janë kombëtare të vërtetuara të cilat kanë qenë në Kampionatet Evropiane, dhe herën e fundit pjesëmarrëse ishin Suedia dhe Zvicra. Me të gjitha këto kombëtare kemi luajtur dhe sigurisht që janë ekipe të vështira. Është një mision i vështirë, por jo i pamundur. Uroj që të jemi sërish një ekip i plotë, pa lëndime dhe të jemi bashkë siç kemi qenë në kompeticionin e fundit. Shpresoj dhe uroj që të japim më të mirën në këto ndeshje dhe e ripërsëris që nuk dyshoj në ekipin tonë, në grupin tonë dhe në trajnerin. Të gjithëve ju uroj shumë fat dhe shpresoj që do t’ia dalim këtë herë”, tha Ademi. Ndërkaq, trajneri Foda u shpreh: “Është një grup i vështirë, por shumë i balancuar. Avantazhi është se nuk duhet të udhëtojmë larg dhe tani do të merremi shumë intensivisht dhe në mënyrë specifike me kundërshtarët. Në këtë grup, gjithçka është e mundur”, tha Foda.

sfidanti.al