Darka me Rumenigen dhe historia me tifozin që donte ta puthte

Darka speciale e zotit Rama me shefin e Bajernit, Rumenige dhe trajnerin Ançeloti, është bërë sebep për të kujtuar një histori gazmore, kur “Rumja”, siç e quanin disa me përkëdheli, luajti në Tiranë në ndeshjen Shqipëri-Gjermani.  Atëherë “Qemal Stafa” i ngjasonte një vullkani, ngaqë Gjermania ishte si perandori për shqiptarët. Në një stadium të mbushur e të tejmbushur, një tifoz ka kapërcyer telat rrethues dhe vrapoi drejt e në fushë, drejt ..Rumeniges.

E përqafoi disa herë edhe pse lojtari e shtynte, ishte kaq i djegur për gjermanin, sa nuk donte t’ia dinte për pickimet dhe kapjet e policëve që e gllabruan. Skena që pamë ishte ngazëllyese, sepse për Rumenigën të gjithë do të kapërcenin telat, por më e bukura kishte qënë skena që nuk u pa, pikërisht, ajo qe kishte ndodhur në polici. Pasi e kishin rrahur mirë e mirë në një dhomë tipike për dru, e kishin pyetur:

-Po tani çfarë mendon për futbollin në përgjithësi dhe Gjermaninë, që e dashke kaq shumë?

-Nuk do ta puthë më Rumenigen…- kishte thënë tifozi.