Më në fund po njihet me emrin e tij. Nikola Vlashiç, lojtari i dalluar i Kroacisë, po shkëlqen në Kampionatin Europian, aq sa u shpall edhe lojtari më i mirë i ndeshjes në duelin e grupit ndaj Skocisë. Djaloshi 23-vjeçar po del përfundimisht nga hija e madhe e motrës së tij, Blankës, sot 37 vjeç, që ka qenë një kampione e shquar e atletikës. Blanka Vlashiç ishte një nga më të mirat në botë në kërcimin së larti, duke u shpallur dy herë kampione e botës, po ashtu edhe kampione e Europës, si dhe duke fituar medalje të argjendit dhe të bronzit olimpike.
Motër e vëlla janë pjesë e një familjeje sportive nga Spliti, dhe Blanka sot është shumë krenare për Nikolën, që është 14 vjet më i ri se ajo. “Mund t’iu them se Nikola është më i fortë sesa unë nga ana psikologjike, – thotë ajo, – është pjekur shumë kohët e fundit. Jam e bindur se kjo Kroaci do të shkojë larg, siç bëri në Kupën e Botës në Rusi në 2018”.
Nikola Vlashiç është sot lojtar i CSKA-së së Moskës, duke shkëlqyer në Premier Ligën e Rusisë, si dhe në Champions kur shënoi gol në suksesin e madh të moskovitëve 3-0 në fushën e Realit në “Santiago Bernabeu”. Viti 2021 ka qenë pozitiv për kroatin. Nikola u martua këtë pranverë në fshehtësi, duke vënë kurorë me shoqen e tij të shumë viteve, Anën, në Kishën e Shën Lorencit në Split.
Nuk dihet nëse kroatët do t’ia dalin ndaj një ekipi kaq të fortë sa Spanja me të cilin ndeshjen në turin e dytë. Gjithsesi, Nikola Vlashiç e ka krijuar më në fund emrin e tij, dhe nuk njihet më thjesht si vëllai i kampiones së madhe Blanka.
Sfidanti.al