A mërziten vajzat që kapin topat në tenis? Jo kur luan Zverevi!

Shpesh mendohet se vajzat apo edhe djemtë që kapin topat gjatë ndeshjeve të tenisit bëjnë një punë të mërzitshme dhe me “orë të zgjatura”, duke pëlqyer vetëm pagesën, por mund të ndodhë edhe ndryshe. Kështu i ngjau një vajze bionde në “Qendrën e Tenisit” në Kuinslend të Australisë, ku skuadra kombëtare vendase po luante ndaj Gjermanisë për Kupën Dejvis.

Tenisti gjerman Aleksandër Zverev po luante me vendasin Aleks De Minaur, dhe vajza në fjalë rrëshqiti ndërsa po kapte një top të gjuajtur nga Zverevi. Në fund të ndeshjes, pasi gjermani fitoi, shkoi tek vajza dhe e puthi në faqe. E reja nuk e përmbajti dot veten pa u ndjerë e habitur, por edhe e lumtur, duke vënë dorën mbi buzë. Njëri nga komentatorët gjermanë, Oliver Fasnaht, tha me të qeshur në transmetim direkt: “Është e sigurt, ajo nuk do ta lajë kurrë atë faqe”!

Sfidanti.al