Zinedine Zidane pranë rikthimit si trajner

Zinedine Zidane është shumë pranë rikthimit në pankinë. Pas një mungese që zgjat që nga maji i vitit 2021, kur u largua për herë të dytë nga Real Madridi, legjenda franceze duket se më në fund ka vendosur hapin e radhës në karrierën e tij si trajner. Sipas raportimeve nga Franca, veçanërisht nga gazetari i RMC, Gilbert Brisbois, është marrë vendimi që Zidane do të pasojë Didier Deschamps në krye të kombëtares franceze pas përfundimit të Kupës së Botës 2026. “Është e kryer. Është vendosur. Në një vit, do të kemi Zidanin! Çfarë gëzimi!”, ka deklaruar ai.

Deschamps, i cili ka drejtuar Francën që nga viti 2012, do ta mbyllë kapitullin e tij pas plot 14 vitesh në krye të ekipit. Ai u ka dhënë “Gjelave” lavdinë më të madhe me fitoren e Kupës së Botës në vitin 2018 dhe është një nga të paktët që ka fituar këtë trofe si lojtar dhe trajner. Nga ana tjetër, Zidane ka pasur një karrierë madhështore si trajner i Real Madridit, ku fitoi tri Liga të Kampionëve radhazi (2016–2018) dhe dy tituj të La Liga-s. Por që prej largimit të tij në vitin 2021, ai ka qëndruar jashtë futbollit, megjithëse emri i tij ka qarkulluar shpesh si kandidat për poste të rëndësishme.

Vetë Zidane nuk e ka fshehur dëshirën për të drejtuar kombëtaren: “Kam respektuar gjithmonë futbollin dhe ata që janë në detyrë. Nuk është ende momenti i duhur, por kur të vijë, do të jetë kënaqësi e madhe. Ndihem plotësisht si trajner.” Për mediet franceze dhe tifozët, Zidane shihet si pasardhësi ideal i Deschamps. Sukseset e tij si lojtar me Francën, përfshirë Kupën e Botës 1998 dhe Europianin 2000, e kanë kthyer në një figurë ikonë. Analisti Julien Laurens e përshkroi lidhjen e Zidanit me Francën si një “histori dashurie të veçantë”, e cila duket se do të vijojë nga fusha, në stol. Një epokë e re është në prag për kombëtaren franceze dhe ajo pritet të udhëhiqet nga një emër legjendar.

sfidanti.al