Florian Wirtz: Çmimi im? Nuk është barrë

Florian Wirtz ka bërë debutimin e tij në “Anfield” me stil, duke shënuar golin e parë në miqësoren ndaj Athletic Bilbaos dhe duke treguar menjëherë pse Liverpooli investoi shifra rekord për të. Fantazisti gjerman, i transferuar nga Bayer Leverkusen për një shumë që varion mes 135 dhe 150 milionë eurosh, nuk e ndien aspak presionin që vjen me këtë çmim marramendës.

“Ajo që paguajnë klubet mes tyre nuk më intereson. Dua vetëm të luaj futboll”, deklaroi 22-vjeçari, i cili konsiderohet një prej talenteve më të mëdha në Europë. Me një përvojë të rëndësishme në Bundesliga dhe 31 ndeshje me përfaqësuesen gjermane, Wirtz beson se Premier League është vendi ideal për zhvillimin e tij. “Zgjodha Liverpoolin sepse mendoj se mund të përshtatem mirë. Kam liri në fushë dhe kjo është ajo që më duhet”, shpjegoi ai. Pas debutimit ndaj Milanit, ku u dallua me lojën e tij, Wirtz shënoi edhe në ndeshjen e radhës ndaj Yokohama Marinos, duke lënë gjurmë që në startin e aventurës së tij angleze. Tashmë, objektivi i radhës është Community Shield kundër Crystal Palace më 10 gusht, përpara debutimit në Premier League ndaj Bournemouth më 15 gusht.

“Në Premier gjithçka është më intensive dhe fizike, por kjo më ndihmon të përmirësohem. Qëllimi im është të vrapoj shumë, të krijoj raste dhe të ndihmoj skuadrën të fitojë sërish”, përfundoi Wirtz, i vendosur të shkëlqejë në aventurën e tij të re në Angli.

sfidanti.al