Zëvendësuesi i Mbappe, PSG takohet me agjentin e Lautaros

Pas vendimit të Kylian Mbappe për t’u larguar nga PSG-ja në fund të sezonit, klubi francez pritet të hidhet në merkato për të transferuar një sulmues me peshë, teksa “Fox Sports” raporton se një nga emrat e preferuar është kapiteni i Interit, Lautaro Martinez. Ky i fundit ka si menaxher Alejandro Camanon, i njëjti që përfaqëson edhe Achraf Hakimin, dhe që pak ditë më parë është takuar me Al Khelaifin për të negociuar një transferim të mundshëm të argjentinasit te Paris Saint Germain.

Vetë Lautaro është i lumtur në Milano, ku mban shiritin e kapitenit dhe po negocion rinovimin e kontratës me Interin, por palët janë ende larg njëra-tjetrës, pasi argjentinasi kërkon 10 milionë euro në sezon, ndërsa te zikaltrit nuk kanë ndërmend të shkojnë përtej 8 milionë eurove. Natyrisht prioritet i Lautaros mbetet qëndrimi në Milano, por nëse nuk arrihet një marrëveshje për rinovimin, nuk përjashtohet mundësia e shitjes në verë, me PSG-në që pret pas dere dhe është gati të kënaqë pretendimet e të gjitha palëve. Kartoni i kapitenit të Interit vlerësohet rreth 110 milionë euro, shifër kjo lehtësisht e përballueshme nga PSG-ja, që gjithashtu mund t’i ofrojë edhe një pagë të majme, për ta transferuar në “Parkun e Princave”.

sfidanti.al