Zbulohet plani i pagesës për Ernest Muçin, Trabzonspori sqaron detajet

E ardhmja e Ernest Muçit po bëhet gjithnjë e më e qartë. Lojtari shqiptar, i huazuar nga Beşiktaşi te Trabzonspori, është në qendër të vëmendjes pas deklaratave të fundit të presidentit të klubit turk, Ertuğrul Doğan, i cili ka sqaruar planin e pagesës për opsionin e blerjes prej 8 milionë eurosh. Sipas Doğan, kjo shumë nuk do të paguhet menjëherë. Trabzonspori mund ta aktivizojë opsionin duke kryer këstin e parë në fund të muajit korrik. Vlera e këtij kësti të parë është rreth 1.5 deri në 2 milionë euro. Me këtë pagesë fillestare, klubi do të sigurojë përfundimisht kartonin e Muçit, ndërsa pjesa tjetër e shumës do të shlyhet sipas marrëveshjes së parashikuar në kontratë.

Megjithatë, vendimi final nuk është ende zyrtar. Fjalën e fundit do ta thotë trajneri Fatih Tekke. Presidenti Doğan ka theksuar se gjithçka varet nga vlerësimi i stafit teknik dhe nga raporti që do të paraqitet në fund të sezonit. Sinjalet deri tani janë pozitive, pasi Tekke është i kënaqur me paraqitjet e Muçit dhe shihet si mbështetës i fortë i transferimit përfundimtar. Muaji korrik pritet të jetë vendimtar. Deri në fund të tij, Trabzonspori duhet të marrë vendimin dhe të kryejë pagesën e parë, nëse dëshiron ta mbajë lojtarin. Nga ana tjetër, Beşiktaşi pret që të ardhurat nga kjo marrëveshje të forcojnë arkën e klubit. Për Ernest Muçin, kjo verë mund të shënojë një hap të rëndësishëm në karrierë dhe një konfirmim të rritjes së tij në futbollin turk.

sfidanti.al