Tottenham ndalon trajnerin të flasë për televizionin danez

Tottenhami ka ndaluar trajnerin e vet, Thomas Frank, të japë intervista për Viaplay, stacion televiziv që ka të drejtat e transmetimit të Premier League-s në Danimarkë. Vendimi dyshohet të ketë ardhur si pasojë e pakënaqësisë së klubit për disa pyetje në një intervistë të mëparshme. Mungesa e Thomas Frank në ekranet daneze pas barazimit 2-2 kundër Manchester City-t të dielën e kaluar ka befasuar shumë. Ekipi londinez arriti të rikuperonte një disavantazh 0-2 në pjesën e parë, por shikuesit nuk mundën të dëgjonin reagimet e trajnerit. Kim Mikkelsen, nënkryetar dhe drejtor i sportit nordik i Viaplay, konfirmoi situatën:

“Është e saktë dhe e trishtë që nuk arritëm t’u ofronim shikuesve tanë një intervistë me Thomas Frank. Tottenham na ka informuar se, për momentin, nuk do të na lejojë trajnerin,” tha ai. Për arsyen, Mikkelsen sqaroi se, edhe pse pyetja duhet drejtuar klubit, duket se pakënaqësia lidhet me një intervistë të mëparshme. “Sipas asaj që kuptuam, ata janë të pakënaqur sepse i kemi bërë disa pyetje rreth presionit që ndjen tek Tottenhami dhe mbështetjes që ka nga klubi dhe tifozët,” shtoi ai. Përfaqësuesi i Viaplay tha se është befasuar nga reagimi i klubit londinez. “Na duket e habitshme nëse kjo është arsyeja, sepse nuk na duket se kemi bërë ndonjë gjë të gabuar. Por kështu janë gjërat për momentin,” theksoi ai, duke shtuar se nuk dihet sa do të zgjasë ky “bojkot” dhe gjithçka varet nga Tottenham. Edhe pse Viaplay shpjegoi situatën, nuk arriti të ndryshonte vendimin. “Nuk ka shumë që mund të bëjmë. Do ta mbulojmë situatën sa më mirë të mundemi dhe shpresojmë se një ditë do të kemi përsëri intervista me Thomas Frank,” tha Mikkelsen, duke sqaruar se nuk ka asnjë mosmarrëveshje me trajnerin apo klubin. Kur u kontaktua për koment, Tottenhami refuzoi të jepte deklarata, por njoftoi se ka përmbushur detyrimet mediative duke vënë në dispozicion të Viaplay lojtarin e sapoardhur, Conor Gallagher, për një intervistë.

sfidanti.al