“Yryshi” i Turqisë rrëzon Francën, edhe “perënditë vdesin”!

Nuk është se nuk ka qenë e fortë më përpara, por kishte vite që nuk ngjasonte me epokën më të mirë. Turqia ishte për shumë kohë larg lavdisë së dikurshme arritur nën Fatih Terimin dhe Shenol Gyneshin, por ndoshta mund të jetë kthyer. Skuadra që la gjurmë në Kupën e Botës 2002 dhe Euro 2008, krijoi një tjetër “mit” duke mundur kampionen e botës në fuqi, Francën.

Përfundoi 2-0 për vendasit sfida eleminatore e Europianit në stadiumin e Konjës, me gola të shënuar nga Jalçin Ajhan në minutën e 30-të dhe Xhengis Ynder në të 40-ën. Ky i fundit, yll i ri i Romës, ishte i rëndësishëm në të dy aksionet. Më shumë sesa fitorja, tifozët turq i kënaqi loja e skuadrës së tyre që, jo vetëm e meritoi suksesin, por edhe mund të kishte arritur rezultat më të thellë. Vetëm pritjet e portierit Hugo Joris e shpëtuan Francën nga një turp i vërtetë.

Turqia nuk pati asnjë kompleks që u ndodh përballë kampionëve të botës, lojtarëve si Joris, Varan, Ymtiti, Pogba, Grizman apo Mbape. Pas kësaj fitoreje, skuadra e trajnerit Shenol Gynesh kryeson grupin H me 9 pikë të plota, ndaj 6 të Francës dhe Islandës, ndërsa Shqipëria e Moldavia kanë nga 3, me Andorrën që ndodhet e fundit me 0 pikë.

Sfidanti.al