“Ylli” i Dinamos pranë transferimit në Serie A

Albion Marku mund të bëjë hapin e madh në karrierë gjatë verës që vjen. 23-vjeçari mirditor, pjesë e Dinamos në Superiore, mund të transferohet në Serie A pas qershorit.

Burime të sigurta bëjnë me dije se një nga skuadrat e elitës së futbollit italian po negocion me anësorin e djathtë, për të nënshkruar një kontratë 3-vjeçare. Por për momentin nuk bëhet i ditur emri i ekipit.

Marku ka luajtur këtë edicion 29 ndeshje të plota në kampionat me blutë e kryeqytetit. Mbrojtësi i krahut konsiderohet si një prej lojtarëve me më shumë perspektive dhe në verë pritet të realizojë transferimin e karrierës.

Pak javë më herët, Federata Shqiptare e Futbollit dhe ajo italiane nënshkruan një marrëveshje që lejon lojtarët me pasaportë shqiptare të mos konsiderohen të huaj. Duke u hapur udhë transferimit të lojtarëve shqiptarë në Serie A. Nga të parët që mund të përfitojë mund të jetë Albion Marku, i cili me shumë interes po pret të mësojë të ardhshmen e tij. Që me shumë gjasa do të jetë në një nga nga ligat më të forta të Europës. Marku debutoi me kombëtaren shqiptare në miqësoren e tetorit të vitit 2022 përballë Arabisë Saudite. Ndërkohë që ka veshur 15 herë fanellën kuqezi të Shqipërisë U21.

sfidanti.al