Xhaka dënohet në Zvicër

Mesfushori shqiptar i Basel, Taulant Xhaka, është pezulluar me një ndeshje nga autoritetet disiplinore të Super Ligës Zvicerane. Shkak për këtë është bërë sjellja e tij gjatë festimeve për titullin kampion. Lojtari shqiptar u shfaq i papërmbajtshëm gjatë ceremonisë së festës së titullit, ku u përfshi në sjellje të papërshtatshme, përfshirë ndezjen e mjeteve piroteknike, përdorimin e gjuhës fyese ndaj klubeve rivale dhe deklarata kundër autoriteteve policore. Në kuadër të masave të marra, përveç pezullimit me një ndeshje, Xhaka është gjobitur me shumën prej 7,500 frangash zvicerane. Po ashtu, lojtari duhet të kryejë 18 orë punë në shërbim të komunitetit, në funksion të promovimit të vlerave të futbollit dhe sjelljes së përgjegjshme në sport. Sipas njoftimit të Ligës Zvicerane të Futbollit, kombinimi i këtyre masave synon të neutralizojë ndikimin negativ që sjellja e mesfushorit pati ndaj publikut dhe imazhit të kampionatit.

Për pasojë, Xhaka nuk do të jetë pjesë e skuadrës në ndeshjen e radhës kundër Young Boys. Megjithatë, ai do të rikthehet për sfidën e fundit të sezonit, e cila është njëkohësisht edhe ndeshja e tij e lamtumirës, kundër ekipit të Luzernës.

sfidanti.al