Në katër jave vetëm një fitore e vuajtur me Kukësin, dy barazime dhe humbja e parë sezonale në Laç. Vllaznia po përjeton një moment në rënie dhe shumë të rrezikshëm pasi skuadra e drejtuar nga Migen Memelli nuk arrin të prodhojë lojë e as rezultat. Ndryshimet e mëdha në merkaton e verës që e shtynë trajnerin të pranonte revolucionin , po reflektohen në fushë.
As afrimi i Krymit apo konfirmimi i Malës dhe Balajt nuk e kanë shpëtuar tekhnikun korcar nga syri i ciklonit të kritikave. Disfata në Laç dhe për më tepër ndaj një kundërshtari gjithashtu në ndërtim e sipër por me emra të panjohur dhe premtues për futbollin shqiptar, është një këmbanë e fortë alarmi.
Mbrojtja fut ujë por ajo që shqetëson më shumë është mungesa e forcës në sulm dhe një mesfushë pa ide. Vllaznia me 5 pikë në 4 javë nuk mund të shkojë askund dhe me një ritëm të tillë finalja katërshe është seriozisht e rrezikuar. Klubi ka kërkuar kohë por të tillë mund të mos ketë trajneri nëse skuadra vazhdon në këtë rrugë sepse në Shkodër janë të etur për rezultate dhe suksese të cilat mungojnë që në erën “Brdaric”.