Vllaznia e pandalshme por Egnatia e çlodhur

Fitorja e Vllaznisë në Korçë e kombinuar me barazimin e Egnatias në Elbasan, konfirmojnë trendin e muajve të fundit ku shkodranët mbeten skuadra e momentit ndërsa rrogozhinasit duken në një minikrizë edhe pse finalen e katërshe e kanë siguruar prej kohësh. 14 ndeshje rresht pa humbje në kampionat, një ecuri fantastike për Qatip Osmanin dhe djemtë e tij por që reflekton edhe anomalinë që po imponon formula e re e Superiores ku Egnatia është prej kohësh në ecuri minimale dhe me shumë mundësi po kursen shumë energji për ndeshjet e fazës finale katërshe pasi në fund të fundit, askujt në Rrogozhinë nuk i intereson të presë finishin me një diferencë të madhe pikësh nga vendi i dytë por edhe me energji të shterruara. Lajmi i dytë i madh i javës së 27 është shkundja e Kukësit që kaloi Laçin dhe mund të japë shkëndija interesante në betejën e mbijetesës, ndërsa vërshimi i ujërave në Durrës përmbyti fushën por jo shpresat e Dinamos për të arritur vendin e katërt apo ato të Teutës për t’i qëndruar larg zonës së ftohtë.

sfidanti.al