Vllaznia ka finalizuar një nga shitjet më të mëdha në historinë e saj, duke transferuar sulmuesin e ri, Kevin Dodaj, në një klub të huaj me objektiva ambiciozë siç është CSKA e Sofjes. Ky lëvizje merkatoje përfaqëson një moment historik për klubin shkodran, jo vetëm për vlerën e marrëveshjes, por edhe për rëndësinë që mbart në aspektin sportiv dhe financiar.
Burime pranë klubit bëjnë me dije se marrëveshja për largimin e Dodajt është mbyllur për një shumë që kapërcen 400 mijë euro, një rekord absolut për Vllazninë në tregun e transferimeve. Edhe pse shifra zyrtare nuk është konfirmuar, kjo shumë e vendos këtë transferim në krye të listës së operacioneve më fitimprurëse që ka realizuar ndonjëherë klubi kuqeblu.
Një produkt i pastër shkodran
Dodaj është një produkt i Akademisë së Vllaznisë dhe këtë sezon bëri debutimin në ekipin e parë, duke u shndërruar menjëherë në një prej elementëve më premtues të skuadrës. Me paraqitjet e tij të qëndrueshme dhe talentin e dalluar, ai tërhoqi vëmendjen e skautëve ndërkombëtarë, të cilët e kishin ndjekur me interes gjatë muajve të fundit.
Një sinjal për të ardhmen
Ky transferim nuk është vetëm një sukses ekonomik, por edhe një sinjal i qartë për fuqinë e Akademisë së Vllaznisë në prodhimin e talenteve cilësorë. Klubi shpreson se shembulli i Dodajt do të frymëzojë brezat e rinj që po rriten në Shkodër, duke i dhënë klubit jo vetëm të ardhura, por edhe vazhdimësi në nivelin elitar të futbollit shqiptar dhe më gjerë.
sfidanti.al