U la jashtë në moshën 33-vjeçare. Valon Behrami nuk do të jetë më pjesë e Zvicrës, veçse futbollisti shqiptaro-zviceran nuk e priti aspak mirë këtë përjashtim. Mesfushori që luan për Udinezen në Serinë A, akuzoi trajnerin Vladimir Petkoviç se pati motive politike që e largoi nga skuadra.
“Po, mendoj se momenti i shqiponjës së bërë nga Xhaka e Shaqiri ishte ai që krijoi një ndarje në ekip, – u shpreh ai, për mediat europiane, – trajneri mori një vendim politik, dhe më vjen keq se u ndikua nga ata që nuk marrin vesh aspak nga futbolli”.
Behrami e pati fjalën për mënyrën e festimit të dy prej lojtarëve shqiptaro-zviceranë, Granit Xhakës e Xherdan Shaqirit, pas rrjetave të shënuara në ndeshjen Zvicër-Serbi, në fazën e grupeve të Kupës së Botës në Rusi.
Festimi i tyre solli shumë polemika, dhe nuk u prit mirë nga mediat zvicerane si dhe nga një pjesë e tifozëve. Petkoviç, një trajner me origjinë kroate nga Bosnjë-Hercegovina, me shumë gjasë u ndikua nga opinioni publik, për vendimin e marrë, ndonëse në skuadër vazhdojnë të jenë Xhaka e Shaqiri.
Vendimi duket paradoksal, pas lavdërimeve të mëdha që gazetat zvicerane i bënë Behramit për lojën shumë të mirë ndaj Nejmarit në sfidën ndaj Brazilit, po në Botëror, që përfundoi 1-1. “Askush nuk e mishëron më shumë sesa Behrami, shpirtin e kësaj skuadre”, – shkruajtën gazetat, por duket se tani nuk është më kështu.
Sfidanti.al