Uzuni ndryshon agjent për…Kombëtaren

 

Në moshën 30-vjeçare, Myrto Uzuni ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me agjentin e tij Franci Bode, i cili e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës së tij.

Arsyeja e këtij ndryshimi nuk duket të jetë kërkimi për një agjent “më të fortë” që t’i gjejë klube më të mëdha — nëse do të ishte ky motivi, Uzuni do ta kishte bërë këtë lëvizje vite më parë, jo tani, në një fazë ku nuk ka shumë vite përpara në karrierë.

Lëvizja drejt kompanisë së Fali Ramadanit duket se lidhet me qëllimin për të siguruar aktivizim të rregullt si titullar në Kombëtare. Burime pranë lojtarit pohojnë se kjo mund të ketë qenë një kusht i vendosur nga trajneri Sylvinho, i cili e aktivizoi Uzunin titullar në ndeshjen kundër Serbisë dhe i ka premtuar vazhdimësi në formacion.

Fali Ramadani, përveç trajnerit të Kombëtares dhe tashmë edhe Uzunit, menaxhon disa lojtarë të tjerë shqiptarë, si Nedim Bajrami, Medon Berisha, Kristián dhe Stiven Shpendi, Ylber Ramadani dhe Adrion Pajaziti.

sfidanti.al