UEFA pritet të miratojë një ndryshim të rëndësishëm në rregullore në lidhje me Euro 2024 pasi nga 23 lojtarë që një trajner duhet të grumbullojë, numri do të rritet në 26, pra 3 lojtarë më shumë edhe për trajnerin Sylvinho. Në këtë mënyrë, braziliani do të heqë pak presion nga ai që i është shtuar me tonelata gjatë javëve të fundit për zgjedhjet e bëra, peshë që nuk e ka mbajtur ndoshta as në ndeshje të rëndësishme që ka luajtur në karrierën e tij të lavdishme si lojtar.
Daku apo Muja? Uzuni apo Asani? Cikalleshi, Broja apo Muçi? Ndoshta ka vend për të gjithë këtë herë por të jeni të sigurt që shqiptarët do të gjejnë patjetër një shkak për të krijuar polemika sepse trajnerët e kolltuqeve mendojnë që rezultatet në fushë do të vijnë nëse Sylvinho do të ketë 10 apo 12 sulmues. A mund të bëjmë një paraqitje dinjitoze në Euro 2024 edhe me një qerre sulmuesish? Me shumë mundesi jo por në fund të ditës, më në fund nuk do të kemi më një temë kryesore në tryezën e madhe të diskutimeve, thjesht duhet të rikthehemi të diskutojmë nëse titullar duhet të luajë Broja apo Cikalleshi…
Nga Pirro Bardhyli