Gjobë pas gjobe, Shqipëria është skuadra më e ndëshkuar nga UEFA në Euro 2024. Me 30 mijë eurot e fundit për koret e tifozëve për ndeshjet kundër Kroacisë dhe Spanjës, institucioni ku presidenti i FSHF është në pozicionin e nënkryetarit, na ka bërë rekordmenët e vërtetë të këtij europiani. Askush si FSHF nuk është gjobitur në këtë eveniment dhe tashmë ndoshta ka ardhur koha të sqarojmë dicka; A dhuruam festë apo urrejtje në shkallë? Sipas UEFA-s “kemi vjellë vrer” ndaj fqinjëve të cilëve nuk u “hyri asnjë gjemb në këmbë” për ato harta me Kosovën në Serbi, ndërsa Shqipëria po bëhet shembull.
Nëse i qëndrojmë versioneve zyrtare të UEFA-s, shqiptarët nuk janë për t’u marrë shembull dhe nuk ishte aspak festë në rrugë e shkallët e stadiumeve por ndoshta e vërteta është një tjetër dhe shumë më e ndryshme edhe pse në zyrat hijerënda të Nyonit ende na konsiderojnë një vend i parëndësishëm i cili mund të përballojë edhe kërcënime të tipit; Nuk mund të shisni bileta për ndeshjet e transfertave. A është kjo e drejtë? Jo! Po njerëzit e rëndësishëm në UEFA a do të lobojnë për ta kundërshtuar këtë sjellje agresive të vartësve të Ceferinit ndaj shqiptarëve? Dikush me superfuqi në organin qëndror të UEFA-s duhet ta bëjë këtë dhe kështu na është premtuar por asgjë nuk shikojmë në horizont sepse Shqipëria mbetet në pozitat e të varfërit.
Nga Pirro Bardhyli