“U largova nga futbolli pasi nuk e njihja më”

Miroslav Klose është një nga ata që ka shkruar historinë me fanellën e kombëtares së Gjermanisë, por edhe Bayern Munich. I tërhequr nga futbolli në vitin 2016 me fanellën e Lazios, ish-sulmuesi i famshëm zbulon së fundmi edhe arsyet që e përshpejtuan lamtumirën e tij nga futbolli. Klose, theksoi se nuk e njihte më futbollin duke qenë se në dhomat e zhveshjes, të rinjtë mendonin më shumë për takat, rrjete sociale dhe pamjen, e jo për lojën që kishte rëndësi. “Unë e lashë futbollin pasi nuk po e njihja më sportin që ushtroja. Të rinjtë e sotëm e kanë mendjen te shumë gjëra dhe futbollin e lejnë për në fund. Kur unë isha i ri, mendoja vetëm për stërvitjen dhe të shndërrohesha në një lojtar të vlefshëm për sportin që dashuroja. Pas ndeshjeve me Lazion dhe kombëtaren, futesha në një vaskë me akull për të shmangur dëmtimet, ndërsa të rinjtë refuzonin. Kur më shihnin që në fundin e stërvitjes mblidhja topat habiteshin dhe pyesnin se pse e bëja. Aty mendoja, janë 20-vjeç dhe nuk ndihmojnë një punonjës 60-vjeçar. Vlerësojnë më shumë takat dhe çorapet. Mendojnë për makinat, kontratat me sponsora dhe vetëm në fund vjen futbolli. Për ata më i rëndësishëm është imazhi. Prandaj, mendova se futbolli që unë njihja nuk ekzistonte më dhe ishte më mirë që të tërhiqesha”, u shpreh Klose.

sfidanti.al