Vështirë të ishte më e nderë situata te Kroacia sesa tani në prag të gjysmëfinales së Botërorit ndaj Anglisë. Mediat kroate dhe ato europiane njoftojnë se të paktën një lojtar është i sigurt që nuk luan ndaj anglezëve, mbrojtësi i Atletikos së Madridit, Shime Vrsaljko, ndërsa dy të tjerë janë në dyshim.
Flitet për futbollistë bazë si portieri Danijel Subashiç dhe mbrojtësi i qendrës Dejan Lovren, i mbiquajtur “ministër i brendshëm i kombëtares”. Të tre nuk ishin në stërvitjen e fundit të udhëhequr nga trajneri Zllatko Daliç. Në vend të Vrsaljkos pritet të luajë Vedran Çorluka.
Tensioni në kombëtare është rritur edhe më shumë pas festimeve të Domagoj Vidës dhe të ndihmëstrajnerit Ognjen Vukojeviç, pas fitores me Rusinë, duke thirrur “lavdi Ukrainë” apo “kjo fitore është për Ukrainën dhe Dinamon e Kievit”. Federata Kroate e përjashtoi Vukojeviçin nga skuadra, dhe i kërkoi falje publikut rus.
Sfidanti.al