Tre shqiptarë në formacionin e javës në Superligën e Zvicrës

Tre futbollistë shqiptarë kanë zënë vend në formacionin më të mirë të javës së tretë në Superligën e Zvicrës, pas paraqitjeve të spikatura me skuadrat e tyre. Donat Rrudhani është një prej tyre, pasi vazhdoi formën e mirë me Sionin. Sulmuesi shqiptar shënoi sërish dhe për këtë paraqitje u vlerësua me notën 8.2, duke u përfshirë në 11-shen më të mirë të javës. Në formacionin e javës është edhe Liridon Berisha. Mbrojtësi zhvilloi një ndeshje të mirë dhe mori notën 7.5, duke bindur me paraqitjen e tij në prapavijë.

Ndërkohë, pas dy ndeshjeve të para jo në nivelin e pritshëm, Simon Simoni reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Portieri shqiptar ishte një nga protagonistët kryesorë në përballjen ndaj St. Gallen, ku zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer. Simoni u vlerësua me notën e lartë 9.1, duke u renditur mes futbollistëve më të mirë të javës në kampionatin zviceran. Kështu, tre lojtarë shqiptarë, Rrudhani, Berisha dhe Simoni, janë përfshirë në formacionin ideal të javës së tretë të Superligës së Zvicrës.