Harry Kane është pranë nënshkrimit të një kontrate të re afatgjatë me Bayernin e Mynihut, e cila pritet ta mbajë sulmuesin anglez në klubin bavarez deri në vitin 2029. Harry Kane mund të vijojë aventurën e tij në Gjermani përtej kontratës aktuale. Sipas informacioneve të publikuara nga ‘The Times’, kapiteni i Anglisë është pranë rinovimit të marrëveshjes me Bayernin, me kontratën e re që pritet të zgjasë deri në vitin 2029. Marrëveshja aktuale e Kane me klubin bavarez skadon në vitin 2027 dhe kjo ka bërë që drejtuesit e Bayernit të përshpejtojnë procedurat për të garantuar vazhdimësinë e sulmuesit kryesor të skuadrës.
Negociatat zyrtare për zgjatjen e kontratës pritet të nisin që këtë javë, në të njëjtën kohë me rikthimin e Kane në stërvitjet e sezonit të ri. Sulmuesi anglez do t’i bashkohet pjesës tjetër të skuadrës pas pushimeve. Në Bayern e konsiderojnë Kane një nga figurat kryesore të projektit sportiv dhe synojnë ta “blindojnë” për një periudhë të gjatë. Rinovimi do të ishte gjithashtu një mënyrë për t’u dhënë fund interesimeve të klubeve të tjera të mëdha europiane, të cilat mund të tentonin të përfitonin nga situata e kontratës së tij. Që prej transferimit te Bayerni, Kane është kthyer në pikën kryesore të repartit ofensiv të skuadrës dhe klubi gjerman dëshiron që ai të vazhdojë të jetë lideri i sulmit edhe në vitet e ardhshme. Nëse marrëveshja finalizohet, Harry Kane do të qëndrojë në “Allianz Arena” të paktën deri në verën e vitit 2029.

