Trajneri i Fulham flet për mungesën e Brojës

Mungesa e Armando Brojës mes të grumbulluarve në ndeshjen mes Fulhamit dhe Aston Vilës është trajtuar si një çështje nga gazetarët, të cilët u ndalën gjatë në këtë pikë në konferencën e trajnerit të Fulhamit. Edhe pse për momentin Fulham ka edhe një tjetër sulmues në formë, mungesa e Brojës ka ngacmuar kureshtjen e gazetarëve. Në dy paraqitjet e fundit Rodrigop Muniz ka shënuar plot tre gola në Premier Ligë, por këto statistika nuk do të kishin shumë rëndësi për trajnerin e Fulhamit. Nëse Broja do të ishte i gatshëm për të luajtur ditën e djeshme do të kishte qenë ai në majën e sulmit në takimin e mbajtur në “Craven Cottage”. Pas ndeshjes Silva u pyet se çfarë kishte ndodhur me shqiptarin dhe përgjigja e trajnerit portugez ishte disi e vështirë për t’u shpjeguar. “Armando kishte disa vështirësi me të cilat duhej që të merrej. Mendoj se herë herë mund të përmirësohesh edhe nëse nuk luan, pasi rritesh në aspekte të tjera. Mendoj se momenti ishte i tillë që Armando të mendojë për vetveten. Ai duhet që të bëjë të mundur të mbajë një nivel të lartë dhe sigurisht të rikthehet në fushë”, ishte shpjegimi i Marko Silvës pas ndeshjes që Fulham humbi përballë Aston Vilës.

 

sfidanti.al