Futbolli spanjoll është tronditur nga një ngjarje tragjike. Portieri 19-vjeçar i Colindres, Raúl Ramírez, ndërroi jetë këtë të hënë në mëngjes pas lëndimeve të marra gjatë ndeshjes së të shtunës ndaj Revilla-s, në kampionatin e kategorisë së pestë. Gjatë një përpjekjeje për të dalë te topi, Ramírez pësoi një goditje të fortë në kokë pas përplasjes me një kundërshtar dhe ra menjëherë në tokë në arrest kardiak. Trajneri i skuadrës, Rafael de Peña, së bashku me një infermiere që ndodhej në stadium, i dhanë ndihmën e parë, para se ai të transportohej drejt spitalit “Marqués de Valdecilla” në Santander. Megjithë përpjekjet e mjekëve, i riu nuk arriti të mbijetonte, pasi pësoi një traumatizëm kranioencefalik të rëndë dhe një tjetër arrest kardiak gjatë rrugës për në spital.
Lajmin e konfirmoi presidenti i Federatës së Futbollit të Kantabrisë, José Ángel Peláez, i cili deklaroi për RNE: “Është komunikuar vdekja klinike e Raúl-it, ndërsa familja ka vendosur të dhurojë organet e tij.” Ngushëllime kanë ardhur nga shumë klube, përfshirë edhe Laredo-n, ku Ramírez ishte formuar si futbollist. “Me pikëllim të thellë dhe trishtim, njoftojmë ndarjen nga jeta të Raúl-it, ish-lojtarit tonë të dashur të akademisë, i cili nuk e kaloi dot pasojën e aksidentit të pësuar me Colindres. Raúl ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë pjesë e familjes sonë, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme te shokët dhe trajnerët e tij,” shkruhej në mesazhin e klubit.
sfidanti.al