Gara për Topin e Artë 2026 ka hyrë në fazën vendimtare, teksa organizatorët kanë bërë të ditur datat për shpalljen e kandidatëve dhe ceremoninë finale, e cila këtë vit do të zhvillohet në një qytet tjetër. Shortlistat e të gjitha kategorive do të publikohen më 8 shtator, ndërsa ceremonia e 70-të e çmimeve të “France Football” do të mbahet më 26 tetor në Londër. Për çmimin kryesor, si në kategorinë e meshkujve ashtu edhe në atë të femrave, do të përzgjidhen nga 30 kandidatë, ndërsa për Trofeun Kopa, që u kushtohet lojtarëve të rinj, do të jenë 10 kandidatë meshkuj dhe 5 femra. Ndërkohë, për çmimet e portierëve dhe sulmuesve meshkuj do të ketë nga 10 kandidatë, ndërsa në kategoritë për femra do të jenë nga pesë.
Pasi të publikohen nominimet, fituesit do të përcaktohen nga një juri ndërkombëtare gazetarësh të specializuar, ku do të marrin pjesë përfaqësues nga 100 vendet më të renditura në klasifikimin e FIFA-s për meshkuj dhe 50 vendet më të mira në renditjen e femrave. Çdo anëtar i jurisë do të përzgjedhë dhe rendisë 10 futbollistët e tij të preferuar, duke u bazuar në tri kritere kryesore: paraqitjet individuale dhe vendimtare, sukseset kolektive dhe trofetë e fituar, si dhe klasi dhe fair-play brenda dhe jashtë fushës. Lojtari i renditur i pari do të marrë 15 pikë, ndërsa ai i dhjeti vetëm një pikë, me shumën totale të pikëve që do të përcaktojë fituesit.
Risia e madhe e këtij viti është vendi i ceremonisë. Pas disa edicionesh në Paris, Topi i Artë zhvendoset në Londër, në kuadër të festimeve për 70-vjetorin e çmimit dhe për të nderuar fituesin e parë të tij, legjendën angleze Sir Stanley Matthews. Në ceremoninë e vitit 2025, Ousmane Dembélé fitoi Topin e Artë për meshkuj, ndërsa Aitana Bonmatí triumfoi te femrat. Lamine Yamal u shpall talenti më i mirë i ri, Gianluigi Donnarumma portieri më i mirë dhe Luis Enrique trajneri më i mirë. Ndërkohë, Viktor Gyökeres fitoi çmimin për sulmuesin më të mirë, ndërsa Paris Saint-Germain u shpall klubi më i mirë i vitit. Tashmë mbetet vetëm të pritet 8 shtatori, kur do të zbulohen emrat e kandidatëve për edicionin e 70-të të një prej çmimeve më prestigjioze të futbollit botëror.

