Papritur, faza e fundit e kampionatit po bëhet interesante dhe protagoniste është skuadra nënkampione që si me magji, duket e plotësuar në misionin për vetëshkatërrim. Presidenca edhe këtë herë po arrin me sukses të hedhë zhgenjim mbi një punë të madhe të bërë vitet e fundit nga stafi teknik dhe lojtarët por edhe nga fati që u dha një dorë jo të vogël bardhebluve të cilët u ngjitën në majat e futbollit shqiptar pas disa kohëve të vështira. Tashmë duket se gjithçka është rikthyer në pikën zero dhe presidenti Refik Halili, përveçse me borxhet, duhet të bëjë llogaritë edhe me mungesën e mundshme të Europës që bëhet edhe më reale pas humbjes ndaj Teutës e cila papritur po tenton finalen katërshe edhe pse dy apo tre muaj më parë po luftonte për mbijetesën.
Tragjike po të mendosh pozitat e dy skuadrave në fillim të sezonit ku durrsakët dukeshin të pashpresë ndërsa bardheblutë kandidatë kryesorë për ta mbyllur në krye të klasifikimit sezonin e rregullt. Pas 29 javëve, Teuta është vetëm 5 pikë larg kryeqytetasve ndërsa Tirana nuk gjen shpëtim as nga Erbim Fagu pas “eksperimentit” Ahmataj i cili zëvendësoi Orges Shehin e sulmuar në mënyrë jo “fair play” e pa asnjë grimcë mirënjohje nga presidenti Halili, i cili pasi e shkarkoi, zgjodhi ta sulmonte edhe verbalisht. Me këtë ritëm, nuk është aspak e habitshme që në fund të këtij sezoni, Tirana ta shikojë veten në pozicionin e skuadrës që duhet të luftojë për qëndrimin mes më të mirëve dhe ky është shembulli i qartë se sa i brishtë është futbolli në vend ku një ditë zgjohesh me diell ndërsa tjetrën të pret breshëri.
Nga Pirro Bardhyli