Pas fitores bindëse 0- 2 në ndeshjen e parë në Bjellorusi, Egnatia është shumë pranë një kualifikimi historik në arenën europiane. Një rezultat që nuk ka nevojë për shumë koment, pasi reflekton dominim, qartësi taktike dhe efikasitet në momente kyçe. Megjithatë, të gjithë në Rrogozhinë e dinë mirë se asgjë nuk ka përfunduar. Sfida e kthimit ndaj Dinamo Minsk është vendimtare dhe, për të kaluar më tej, do të kërkohet të ruhet qetësia, përqendrimi dhe sidomos avantazhi i ndërtuar me shumë kujdes në ndeshjen e parë. Kampionët e Shqipërisë e kanë provuar se dinë të fitojnë jashtë, por eksperienca e deritanishme europiane tregon qartë një të metë që nuk mund të injorohet: Egnatia ka pësuar gjithmonë gol në ndeshjet e dyta dhe kjo gjë, për fatin e tyre të keq ka rezultuar në të gjitha rastet fatale, sepse rrogozhinasit në fund kanë dalë të eliminuar.
Që nga debutimi në arenën europiane, Egnatia nuk ka arritur ende të mbyllë një ndeshje të dytë pa pësuar gol. Ky fakt i përsëritur ka bërë që edhe stafi teknik të jetë tepër i kujdesshëm në ndërtimin e strategjisë për sfidën ndaj Dinamos së Minskut. Në Rrogozhinë, si në sezonin e kaluar edhe këtë verë, përballjet e kthimit kanë qenë të vështira dhe plot presion. Edhe kur është nisur me rezultat pozitiv, Egnatia është gjendur shpesh në vështirësi, veçanërisht në fazën mbrojtëse. Shembulli më i freskët mbetet disfata me Breidablik, ku pas një paraqitjeje pozitive në ndeshjen e parë, skuadra u përmbys atë të kthimit. Edhe ndaj rivalëve të tjerë europianë, ndeshjet e kthimit kanë qenë të ngarkuara emocionalisht dhe shpesh kanë nxjerrë në pah brishtësinë e linjës së pasme. Ky është edhe shqetësimi më i madh i trajnerit Edlir Tetova në prag të sfidës me Dinamo Minsk. Ai e di mirë që një gol i pësuar mund të ndryshojë gjithçka dhe të rihapë takimin. Prandaj, gjithë fokusi i përgatitjeve të fundit ka qenë te qëndrueshmëria mbrojtëse dhe te menaxhimi i pjesës së parë, që është parë si momenti kyç i ndeshjes.
Plani i Egnatias është i qartë: pjesa e parë duhet të mbyllet pa pësuar gol. Kjo do të ulë presionin, do të dobësojë psikologjikisht Dinamon dhe do të sjellë më shumë siguri në radhët e skuadrës. Për këtë arsye, pritet që rrogozhinasit të mos rrezikojnë shumë në minutat e para, duke u përqendruar te mbajtja e topit, kontrolli i ritmit dhe mbrojtja e organizuar. Një pjesë e parë pa gola do të ishte një sinjal shumë i fortë për kundërshtarin dhe do të shërbente si bazë ideale për të kërkuar më vonë goditjen përfundimtare. Në këtë aspekt, rolin më të rëndësishëm pritet ta kenë mbrojtësit qendrorë, portieri Dajsinani dhe mesfushorët me prirje mbrojtëse, që duhet të sigurojnë filtrimin e çdo aksioni të Dinamos.
sfidanti.al