Kampionati i Abissnet Superiore mbyll në mesjavë gjysmën e parë të tij me ndeshjet e javës së 18-të. Në 17 javë të zhvilluara ka disa statistika që bien në sy kur sheh tabelën e klasifikimit. Teuta është skuadra me më pak humbje deri tani, vetëm 2, por është jashtë zonës “Final 4”. Edhe pse janë mposhtur më pak se rivalët, durrsakët nuk kanë shkuar më shumë se vendi i 5-të. Atyre u kanë kushtuar shumë pikët e lëna në 10 barazimet e regjistruara deri tani, i fundit në Vlorë ndaj Flamurtarit.
Jo më kot trajneri Dobi u shpreh pas ndeshjes së fundit se i kishte ardhur barazimi në majë të hundës. Ai do të preferonte 5 humbje dhe 5 fitore në vend të 10 barazimeve.
Teuta ka gjithashtu një numër golash të shënuar më të ulët se rivalët. “Djemtë e detit” e kanë gjetur rrugën e rrjetës 15 herë, ndërsa 4 skuadrat e kreut kanë shënuar më shumë se 20 gola secila. Sfida e radhës për durrsakët është ajo që luhet nesër ndaj Egnatias, në stadiumin “Niko Dovana”.
Sfidanti.al

