Sylvinho e kaloi me “përshëndetje” provokimin e gazetarit serb

Konferenca për shtyp e Sylvinhos fliste vetëm përmes buzëqeshjes e natyrisht duket se tani trajneri i kombëtares shqiptare di të përfaqësojë në çdo tryezë ngjyrat kuqezi. Një gazetar serb i pranishëm në sallë, e pyeti atë për festën e golit të Rei Manajt. Sulmuesi lushnjar festoi me shqiponjën dykrenare duke ngjallur një lloj irritimi te serbët e pranishëm. E megjithatë, Sylvinho këtë radhë zgjodhi t’u përgjigjej me ironi duke iu kthyer në shqip: “Përshëndetje!”, kjo ishte përgjigja e parë e tij si për t’i treguar edhe një herë se në Serbi sonte flitet shqip.

Edhe pse përkthyesja Lenida Halilaj i tha që duhej të fliste në italisht, ai ia ktheu fillimisht: “Po e përshëndes në gjuhën shqipe, më tej do flas italisht”, vijoi ai.

Ndërsa festën e Manajt e përshkroi në këtë mënyrë: “Në fakt nuk e kam parë si episod, por fakti që ka marrë karton të verdhë, tregon se do të ketë bërë diçka. Ai është lojtar shumë i mirë. Ka shënuar shumë golave, është lojtar shumë i rëndësishëm. Mes skuadrave ka pasur respekt në fushë, por i tillë është futbolli. Por, jam i lumtur nga ajo që kemi parë dje. Edhe Serbia është pritur mirë në Shqipëri. Një raport shumë pozitiv”.

Kujtojmë që kombëtarja shqiptare arriti të triumfonte në transfertë 1-0 në një sfidë për jetë a vdekje sa i përket fatit për kualifikimin në Botëror.

sfidanti.al