Superliga serbe rezistoi deri këtë fundjavë, por u dorëzua para gjendjes së jashtëzakonshme!

Deshën të rezistonin deri në fund, dhe thuajse ia dolën. Në Serbi u luajtën edhe këtë fundjavë ndeshjet e futbollit, madje u kërkua që të ishin me spektatorë në stadiume. Crvena Zvezda bëri thirrje për prani masive në stadiumin “Marakana”, për të festuar 75-vjetorin e themelimit të klubit, diçka që u prit me polemika në vend.

Ministri i Shëndetësisë, Zllatibor Lonçar, dhe specialisti epidemiolog, Predrag Kon, u pyetën nga gazetarët në konferencën e përbashkët për shtyp, nëse ishte normale që kjo kërkesë e Zvezdës. Kon u përgjigj se nuk kishte problem që tifozët të grumbulloheshin në stadium, pra në ambient të hapur, mjaft që të mbanin distancën 1 metër apo më shumë nga njëri-tjetri. Gjithsesi, nga qeveria serbe e kryeministres Brnabiç u urdhërua që ndeshjet të luheshin pa spektatorë, dhe kështu ndodhi.

Festimi i 75-vjetorit u bë në stadium të zbrazur, dhe vetëm me banderola të vendosura nga tifozët para ndeshjes ndaj Radnikut, të cilën Crvena Zvezda e fitoi 3-0, duke mbajtur e sigurt kreun e tabelës. Gjithsesi, gjithçka ndryshoi me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nga qeveria.

Pas këtij vendimi, aktivitetet sportive, si dhe procesi mësimor parashkollor, shkollor dhe universitar në Serbi u ndaluan. Federata Serbe pati takim me klubet për të diskutuar situatën, por për momentin pritet se çfarë do të vendoset të martën nga UEFA, dhe se çfarë vendimesh do të marrë qeveria në Beograd.

Sfidanti.al