“Show must go on” është titulli i një kënge të legjendare të Queen, një spektakël që në Shqipëri jemi të detyruar ta ndjekim si spektatorë pa pagesë pasi ata që sakrifikojnë sot të ndjekin nga afër një ndeshje të Superiores me lekë në dorë, janë me “pikatore” në ditët e sotme. Spektakli ka rinisur dhe duhet të vazhdojë edhe pse i ndërtuar në një skenë që rrezikon të shëmbet e të zejë poshtë protagonistët e ndoshta të dëmtojë edhe spektatorët. Partizani dhe Egnatia bashkë me Tiranën një ditë më parë u konfirmuan tre forcat kryesore të këtij sezoni duke lënë bosh vetëm një vend për finalen katërshe e për të cilin do të “kacafyten” Vllaznia, Dinamo, Laçi e ndoshta edhe Erzeni apo Skënderbeu.
Viti 2024 ka ndrshuar shumë pak në frymën e përgjithshme të futbollit elitar me skenar të njëjtë, skuadra që ndryshojnë shumë dhe të tjera në luftë për mbijetesën e madje edhe atë financiare. Një formulë eksperimentale që përball me shumë të papritura 10 pjesëmarrësit ku Teuta si rrallëherë mund ta ketë shumë të vështirë për t’u larguar nga fundi ndërsa Kukësi po testohet me një realitet të ri. Abissnet Superiore u rikthye me një 1/2 në Durrës dhe dy fitore të pritshme në Tiranë e Rrogozhinë por kujdes, “Big Brother” po vezhgon dhe situatat mund të ndryshojnë shumë shpejt, në varësi të vëllait të madh dhe dinamikat në pjesën e dytë të sezonit mund të na dhurojnë skenarë të rinj, jo domosdoshmërisht të ngjashëm me atë të 4 muajve të parë.
sfidanti.al