Serbia pret Shqipërinë të shtunën në orën 20:45 në Leskovac, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026. Trajneri i serbëve, Dragan Stojković, e cilësoi këtë përballje si një “finale të vogël” për fatet e grupit, duke kërkuar qetësi dhe disiplinë nga tifozët. “Mësojmë nga çdo ndeshje, por nuk ka kuptim të kthehemi pas. Duhet të mendojmë për të ardhmen dhe tani e gjithë vëmendja është te Shqipëria. Nuk po mendojmë për Andorrën, vetëm për këtë ndeshje”, tha fillimisht Stojković. Tekniku serb theksoi rëndësinë e madhe të sfidës, duke e quajtur “një luftë të drejtpërdrejtë për fazën eliminatore”. “Kemi forcë dhe cilësi për të shkuar më tej. U bëj thirrje tifozëve të sillen drejt dhe të mos krijojnë probleme. Kombëtarja kërkon vetëm një gjë: mbështetje”, nënvizoi ai. Në fund, Stojković foli me respekt për kuqezinjtë: “Shqipëria është një ekip i shkëlqyer, me shumë cilësi. Janë rivalët tanë më të mëdhenj në grup dhe kundërshtari më i rëndësishëm për momentin. Pres një ndeshje me intensitet të lartë dhe ne do të shkojmë për fitore”.
sfidanti.al