Qazim Laçi: Ndeshja në Serbi një finale e vështirë!

Edhe për mesfushorin e Spartës së Pragës takimi i radhës i Shqipërisë do të jetë një duel mjaft i vështirë. Sipas Laçit ndeshja është delikate jo vetëm për faktin se luhet në Serbi, por edhe për shkak të rëndësisë që kanë tri pikët për të dy formacionet. Qazim Laçi u shpreh se skuadra është gati dhe e motivuar për të dhënë maksimumin në përballjen ndaj Serbisë, me synimin për të mbajtur gjallë ëndrrën e Botërorit.

Sa e vështirë është të ruash balancën emocionale me atë profesionale? Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Është ndeshje vendimtare. Ne jemi profesionistë. Jemi mësuar me presionin, secili te ekipi i vet. Objektivi është të marrim 3 pikët, për ëndrrën tonë për të shkuar në Botëror. Kështu duhet ta përgatisim, pra të marrim fitoren.

Keni kapur formën optimale, a do ta japësh ti asistin për golin ndaj Serbisë?

Kur je me Kombëtaren duhet të japësh më shumë, pasi e ke detyrim sepse përfaqëson kombin. Kam dhënë maksimumin me Shqipërinë për të marrë fitore dhe kështu do të vazhdojë. Shpresoj për një fitore në Serbi.

Si përjetohet një ndeshje e tillë?

Jam dakord me ju, do të ketë shumë emocione kjo ndeshje. Si profesionistë duhet të jemi të qetë, të kemi përqendrim dhe të shikojmë çdo detaj. Pikërisht kjo pikë do të bëjë diferencën. Aty do të fokusohemi për të marrë tre pikët.

Kush do të jetë çelësi i ndeshjes?

Nga ana jonë, ndeshjet i shkojmë me kë kundërshtar luajmë. Kundërshtari që kemi përballë është i fortë. Në takimin e parë në “Air Albania” treguam se presionin e evituam. Treguam se kishim mundësi ta fitonim, pavarësisht se doli barazim. Nga ana jonë, duhet të jemi të përqendruar. Detajet do të bëjnë diferencën. Të dyja ekipet do të jenë të mbyllura, si ndeshja e parë. Por ne e kemi në dorën tonë. Do të futemi që në minutën e parë për të marrë tre pikët.

Luajmë në një stadium me kapacitet të reduktuar dhe Serbia nuk ndodhet në kushtet më të mira, si i shikoni shanset për fitore?

Statistikat janë për ju, ne presim një ndeshje të fortë. E dimë që Serbia luan në shtëpinë e saj. Do të përgatitemi për të marrë 3 pikët. Do të jetë vendimtare për ëndrrën e Botërorit.

sfidanti.al