Sot për sot, vështirë të luash me 3 sulmues, thotë Mauricio Sarri

Juventusi është ndërtuar për të argëtuar, veçse edhe një trajner i krijuar për të kënaqur e ka të vështirë ta bëjë këtë. Mauricio Sarri thotë se është tepër e vështirë që të luhet me 3 sulmues, në këtë moment, duke bërë të qartë se Ronaldo, Higuain e Dibala nuk mund të jenë njëkohësisht në fushë. Pra, njëri prej tyre do të jetë në stol, e më së shumti kjo i ka takuar Dibalës.

“Tani për tani është e vështirë për shkak të karakteristikave të lojtarëve, – tha ai, – nuk mund ta ndalosh Dibalën që të tërhiqet larg zonës së rreptësisë, ndërsa Ronaldo nuk mund të luajë tepër në qendër. Ne duhet të marrim masa që të mbulojmë më mirë zonën e rreptësisë”. Sarri do të vazhdojë pra, rotacionin, duke ulur herë pas here në stol Higuainin apo Ronaldon, por më shumë Dibalën. Ndaj Lacios, ai pret reagim pas barazimit 2-2 me Sasuolon fundjavën e kaluar, ndërsa thekson se ngarkesa e Championsit ndihet.

Sfidanti.al