Bylis bën Partizanin të duket i vogël, kush do të dalë kampion në Superligë?!

Nuk ka qenë rastësi gjithçka kanë bërë deri tani. Futbollistët e Bylisit e treguan veten edhe një herë si pretendentë të mëdhenj këtë sezon në Superligë, me një fitore të madhe ndaj kampionit në fuqi, Partizanit. Gjithçka e merituar në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit, dhe vendasit ditën të luanin ndeshjen teorikisht më të vështirë. U duhet falur ndonjë gabim, siç bënë ndaj Skënderbeut apo Vllaznisë, aq më tepër sepse bëhet fjalë për një skuadër që u kthye në elitë vetëm këtë vit.

Një autogol i Belicës, pas gjuajtjes së Ndrecës, dhe rrjeta e Guindos konkretizuan paraqitjen shumë të mirë të të besuarve të trajnerit serb Dovedan. Për futbollistët e trajnerit italian, Franko Lerda, nuk mjaftoi barazimi i përkohshëm arritur nga Jurgen Bardhi. Ndeshja u mbyll keq, pasi Bruno Telushi mori të kuq dhe do të mungojë në derbin ndaj Tiranës, siç do të mungojë edhe Broja.

Partizani cilësohet si favorit për titullin, dhe me të drejtë pasi ka në përbërje gati dy formacione të plota, por disfata në Mallakastër tregoi se Superliga është më shumë në ekuilibër sesa mendohet, si dhe që kryeqytetasit mund të kenë probleme të brendshme.

Ata do të jenë në krye edhe pas javës së 14-të, me 25 pikë të fituara, por Bylisi ndodhet vetëm 2 pikë larg. Kaq e madhe është barazpesha këtë edicion saqë ekipi i vendit të 8-të nga fundi është vetëm 6 pikë larg kreut. Pretendentë mund të cilësohen edhe Kukësi, Vllaznia që fitoi në Gjirokastër, Skënderbeu, Laçi, Tirana apo Teuta.

Sfidanti.al