Në kampin e Sivassporit ka shpërthyer një konflikt mes sulmuesit shqiptar Rey Manaj dhe trajnerit Riza Çalimbay. Klubi njoftoi se lojtari është i dëmtuar, por Manaj reagoi duke deklaruar se nuk është dëmtimi arsyeja pse nuk u grumbullua. Ai tha se ishte stërvitur dhe ishte gati të luante, por u la jashtë për arsye personale të trajnerit.
Sipas tij, vendimi për përjashtim ishte i qëllimshëm dhe i motivuar nga egoja e teknikut. Manaj theksoi se ka luajtur për dy muaj me probleme fizike duke dhënë maksimumin për skuadrën.
“Edhe pse kam dy muaj që luaj i dëmtuar, kam dhënë më të mirën. U stërvita me ekipin dy ditë para ndeshjes, isha gati të luaja, edhe si zëvendësues. Trajneri gjeti një justifikim për të më lënë jashtë, diçka që e kishte planifikuar më parë. Më lajmëroi me mesazh se nuk do të më grumbullonte. Ego personale duhet të lihet mënjanë për të mirën e ekipit, por rezultatet kanë treguar se trajneri vendos gjithmonë egon përpara çdo gjëje”, tha Manaj.
Pavarësisht kontratës deri në 2026, situata mund të ndikojë në të ardhmen e tij te Sivasspori. Me 12 gola të realizuar këtë sezon, lojtari mund të kërkojë një tjetër destinacion. Klubi aktual po lufton për mbijetesë në elitën turke.
sfidanti.al