Është mbyllur me një humbje përballë Skocisë aventura e Shqipërisë në grupin e saj të fazës së dytë të Eliminatore të Evropianit të futbollit për femra për grupmoshën e Nën-19-vjeçarëve. Vajzat e drejtuara nga trajneri Kreshnik Krepi janë mundur 0-3 në takimin e fundit, të luajtur në Stadiumin “Elbasan Arena”, duke e mbyllur kështu në vendin e dytë të renditjes së grupit B, me 6 pikë, 3 pikë më pak sesa Skocia, që vijon më tej në fazën tjetër. Në fakt, ndeshja e fundit e vajzave kuqezi ka patur dy tablo, teksa në pjesën e parë, Shqipëria e ka ruajtur të paprekur rrjetën e saj, edhe pse ka qenë skuadra mike që ka bërë një vëllim më të madh loje, duke ndërtuar edhe më shumë raste për shënim, por pa e gjetur dot rrugën e rrjetës. Për rrjedhojë, pjesa e parë do të mbyllet me rrjeta të paprekura, ndërsa e dyta do të shohë skocezet ta rrisin trysninë kundrejt vajzave kuqezi, duke e zhvendosur lojën në gjysmëfushën e Shqipërisë. Dhe kjo trysni jep fryte, pasi në një blic prej 13 minutash, Skocia e ka gjetur 3 herë rrugën e rrjetës. Mekliri ka shënuar e para për skocezet në minutën e 56-të, ndërsa 7 minuta më pas, është Grinvud që përfiton nga një kombinim i saktë i shoqeve të skuadrës dhe godet befasisht, duke mposhtur Monen në portën kuqezi. Në minutën e 69-të, MekOulej gjen edhe golin që vulos fitoren 3-0 të Nën-19-vjeçareve të Skocisë ndaj atyre të Shqipërisë dhe, bashkë me të, edhe vendin e parë në grup.
sfidanti.al