Shqipëria “perfekte” e Sylvinho-s

Llogaritë janë të thjeshta, një fitore në ndeshjen e radhës dhe Shqipëria fluturon në Gjermani e ky duket se është një formalitet. 5 golat e shënuar në Arenën Kombëtare ndaj Polonisë dhe Republikës Çeke do të mbahen mend gjatë jo për biletën që është gati e prerë por për futbollin modern, gati gati të pabesueshëm. Skuadër në kuptimin më të plotë të fjalës.

Mjeshtërisht Sylvinho e ka bërë këtë grup cinik, fatal për kundërshtarët në momentet e përgjumjes së tyre. Jo rastësisht edhe kur Çekia mbeti me 10 lojtarë, trajneri kërkoi mbrojtje fanatike dhe ky është mentaliteti që simbolizon këtë grup i cili i miksuar me talentin e Asanit, grintën e Asllanit, spektaklin e Bajramit apo këmbënguljen e Dakut e Ramadanit, bëhet “vdekjeprurës” për rivalët. Në këto eleminatore e kemi treguar tashmë që kualifikimin e meritojmë dhe kjo nuk ka asnjë diskutim ndërsa Gjermania verën e ardhshme mund të na vendosë sërish në një test të rëndësishëm, pse jo me objektivin për të kaluar minimalisht një raund sepse fuqinë dhe dinakërinë kjo skuadër e ka e me shumicë madje.

Sfidanti.al