Ndeshjet ndaj Republikës Çeke dhe Polonisë respektivisht në 7 dhe 10 shtator janë jetike për rrugëtimin e Shqipërisë Drejt kampionatit Europian “Gjermani 2024” dhe trajneri Sylvio Mendes Campos Junior ka shpallur sot edhe me listën me emrat e 25 lojtarëve të ftuar për këto sfida.
Siç ishte ëprfolur gjatë ditëve të fundit, dy risitë kryesore janë emrat e sulmuesve Arbnor Muja dhe Mirlind Daku, të cilët ftohen për herë të parë me kuqezinjtë.
Në mesfushë ka ndërkohë dy rikthime të rëndësishme me Klaus Gjasulën dhe Odise Roshin që janë ftuar për dy sfidat e shtatorit, ndërkohë që edhe në mbrojtje ka një tjetër emër që vjen pas një mungese, ai i Arlind Ajetit. Do të mungojë këtë herë mesfushori Armir Abrashi, teksa sa i përket pjesës tjetër të listës nuk ka ndryshime dhe konfirmohet grupi i lojtarëve, që ishte i impenjuar edhe në ndeshjet me Moldavinë dhe Ishujt Faroe në qershor.
Kombëtarja do të nisë zyrtarisht përgatitjet ditën e hënë, datë 4 shtator, me kuqezinjtë që do të grumbullohen në Tiranë dhe stërvitjet do të zhvillohen në Shtëpinë e Futbollit. Sakaq, në prag të grumbullimit trajneri Sylvinho do të dalë në konferencë për mediat ditën e shtunë për të folur në lidhje me zgjedhjet e tij dhe objektivat për dy nga sfidat më të rëndësishme në këto kualifikuese.
Shqipëria do të luajë në transfertë ndaj Republikës Çeke më 7 shtator dhe tre ditë më pas, më 10 shtator, do të presë Poloninë në stadiumin “Air Albania”.