Shqipëri-Çeki, zbret në fushë edhe ministri Balla

Në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e ardhshme të kualifikueseve të Europianit 2024, Shqipëri-Republika Çeke, që do të luhet më 12 tetor në stadiumin “Air Albania”, drejtuesit e FSHF-së kanë zhvilluar një takim me Ministrin e Brendshëm, z. Taulant Balla.

Në këtë takim ishin të pranishëm Presidenti i FSHF-së, z. Armand Duka, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, z. Ilir Shulku, Oficeri i Sigurisë së FSHF, z. Armando Mandron si edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Muhamet Rrumbullaku.

Në fillim u bë një analizë për ndeshjen e 10 shtatorit, Shqipëri-Poloni, për të diskutuar të gjitha problematikat e shfaqura gjatë kësaj ndeshjeje dhe për zgjidhjen e tyre në ndeshjen e radhës. Më pas, u diskutua organizimi i ndeshjes me Republikën Çeke në mënyrë që të mos ketë problematika të ngjashme, përfshirë dhe hedhjen e flakadanëve në fushë nga tifozët.

“Përdorimi i lëndëve piroteknike dhe aktet e dhunës në stadiume duhet të marrin fund. Policia e Shtetit dhe FSHF nisin prej sot një bashkëpunim më të fortë për t’i dhënë fund këtyre fenomeneve. Zbatim i plotë i rregullave të UEFA dhe ndalim të personave përgjegjës të hyjnë në stadiume!”, – tha Ministri Balla.

Presidenti Duka theksoi se duhet bërë maksimumi nga të gjithë aktorët e përfshirë në mënyrë që të mos rrezikohet dënime të tjera për ekipin Kombëtar, gjë që do të vështirësonte rrugën tonë drejt objektivit për t’u kualifikuar në finalet e Europianit.

Ndërkohë, FSHF është duke punuar që të ofrojë një sistem të ri të biletave online për të minimizuar në maksimum problematikat dhe për të evituar spekulantët, duke pasur dhe eksperiencën e re me shitjet elektronike.

“Është problem softi. Për ndeshjet e ardhshme kemi biseduar të përdorim të njëjtin sistem që përdor UEFA, që kishim dhe në finale e UECL, shpresoj do ta arrijmë dhe ai i eliminon të gjitha këto probleme. Nuk është se kemi patur përvojë të madhe me sistemin online, tani kemi filluar, tani kanë dalë problematikat më të shumta”, – tha Presidenti Duka.

Ministri Balla dhe Policia Shtetit kanë dhënë gjithë mbështetjen e tyre për organizmin perfekt të ndeshjes, teksa drejtuesit e FSHF-së i kanë falënderuar për takimin dhe mbështetjen e dhënë edhe në ndeshjen e fundit me Poloninë.

FSHF do të punojë nga ana e saj ngushtësisht me grupimet organizuara të tifozëve që të mos të përsëriten problematika si ato që kanë ndodhur në ndeshjen me Poloninë.

Gjithashtu, FSHF i bën thirrje të gjithë tifozëve të mbështesin ekipin kombëtar, të bëhen lojtari 12-të dhe të qëndrojnë larg sjelljeve që dëmtojnë Kombëtaren dhe ata vetë.

sfidanti.al