Që nuk po flitet fare, nuk mund të thuhet, dhe do të ishte një gënjeshtër. Për një lojtar si Paulo Dibala, kapiten i Juventusit, klubi italian nuk mund t’i lejojë vetes të jetë i vonuar, aq më tepër që kontrata e tij përfundon këtë verë. Lajmet nga Spanja janë që argjentinasi është pranë Barcelonës, që është i predispozuar të kalojë në “Kamp Nou”, ndërsa thuhet se oferta e bërë nga “Zonja e Vjetër” është cilësuar e ulët. Fillimisht, Juvja i ofroi 8 milionë euro në sezon, plus rreth 2 milionë euro në shpërblime, ndonëse Dibala kërkonte 10 milionë pa shpërblime. Së fundmi, klubi thuhet se po e ul ofertën, dhe kjo gjë nuk i ka pëlqyer kapitenit. Në dhjetor dhe në janar u tha se bisedimet do të ishin në shkurt, ndërsa tani mund të thuhet se do të jenë në mars apo prill. Edhe Totenhemi apo Interi i Milanos e duan sulmuesin.
Sfidanti.al