Shifra rekord! Shaqiri thyen parashikimet, mahnit me gola dhe asiste

Xherdan Shaqiri po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm në Superligën e Zvicrës, ku po udhëheq si në aspektin individual, ashtu edhe në atë kolektiv me skuadrën e Baselit. Me vetëm pak javë të mbetura deri në fund të kampionatit, futbollisti me origjinë shqiptare është aktualisht lojtari më produktiv në kampionatin helvet. Shaqiri është golashënuesi më i mirë i sezonit me 15 gola të realizuar dhe gjithashtu asistuesi kryesor me 20 pasime për gol.

Këto tregues e vendosin atë në krye të statistikave individuale në kampionat. Ai ka qenë një pikë referimi për skuadrën e tij përgjatë gjithë sezonit, duke kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në mbi gjysmën e golave që Baseli ka realizuar.

I rikthyer te Baseli në verën e kaluar, pas eksperiencave në kampionate të ndryshme europiane dhe në MLS, Shaqiri ka treguar një nivel të lartë forme dhe profesionalizmi. Me 15 gola dhe 20 asistime në 30 ndeshje të luajtura, ai ka mbajtur një ritëm konstant performance, çka e ka bërë një prej protagonistëve kryesorë të kampionatit aktual. Ky është një nivel që nuk ishte parë prej kohësh në Superligën zvicerane, si nga ana e individit ashtu edhe në ndikimin e tij te një skuadër pretendente për titull.

Baseli, me Shaqirin në formën e tij më të mirë, aktualisht kryeson renditjen e Superligës me 64 pikë pas 34 javësh. Skuadra kuqeblu ka një avantazh prej 9 pikësh ndaj ndjekësit më të afërt dhe diferencën më të madhe të golave në kampionat, +44. Gjithashtu, me 77 gola të shënuar, Bazeli ka sulmin më të mirë në ligë, duke lënë pas rivalë si Lucerna, që ka realizuar 61 gola.

sfidanti.al