Shans i artë për Asllanin, mund të luajë titullar

Kristjan Asllani ka shansin për një vend titullari në sfidën e Interit me Bolonjën, në program këtë të mërkurë. Fokusi në skuadrën zikaltër mbetet te kampionati, ndaj dhe sfida e së shtunës së 23 dhjetorit me Leçen, sfidë për të cilën janë shitur të gjitha biletat në San Siro, por edhe pse nuk e snobojnë Kupën e Italisë, duke parë edhe kundërshtarin e fortë, Bolonjën që po surprizon në Serinë A, Inzaghi të mërkurën do të kursejë disa nga titullarët. Kjo edhe për faktin se infermeria ende nuk është boshatisur, dhe objektivi për ta mbyllur 2023 në kuotën e 47 pikëve, me dy suksese kundër Leçes dhe Genoas është prioritar. Inter do të jetë pa Sanchez që mund të ishte titullar ndaj Bolognës, por është stërvitur veçmas, ndoshta mund të rikthehet të shtunën kundër Leçes por ndërkohë Inzaghi do të ketë një opsion më pak në sulm kundër kuqebluve. Duke qenë se Lautaro pushoi në pjesën e parë në sfidën e Champions kundër Real Sociedad, gjithçka të bën të mendosh se në Kupën e Italisë argjentinasi do ta nisë nga minuta e parë, dhe që do të ketë përkrah Arnautovic, pasi Inzaghi kërkon ta fusë në ritmin e ndeshjeve pas ndalesës prej 1 muaji e gjysmë për shkak të dëmtimit që pësoi në fund të shtatorit në Empoli.

sfidanti.al